Rindërtimi i Katedrales Notre Dame në Paris po vazhdon mjaft shpejt për të lejuar rihapjen e saj për vizitorët dhe adhuruesit në fund të vitit 2024, më pak se gjashtë vjet pasi një zjarr shkatërroi çatinë e saj, kanë njoftuar autoritetet franceze.
Kulla e katedrales, e cila u shemb nga një zjarr, gradualisht do të fillojë të rishfaqet mbi monumentin e kulturës këtë vit në një sinjal të fortë të ringjalljes së saj, tha gjenerali Jean-Louis Georgelin, përfaqësuesi i ushtrisë përgjegjës për projektin.
“Kthimi i kullës në qiellin e Parisit do të jetë, për mendimin tim, një simbol që ne po fitojmë, në ‘Betejën e Notre Dame’,” tha Georgelin për agjencinë AP.
Vetë rindërtimi filloi vitin e kaluar, pas më shumë se dy vitesh punë për ta bërë ndërtesën të qëndrueshme dhe mjaft të sigurt që punëtorët të nisin rindërtimin.
Autoritetet vendosën të restaurojnë kishën e shekullit të 12-të, një kryevepër e arkitekturës gotike, siç ishte para zjarrit. Këtu përfshihet rikrijimi i kullës 93 metra të lartë, e cila u shtua në shekullin e 19-të nga arkitekti Eugene Viollet-le-Duc.
Ndërkohë, një ekspozitë falas e quajtur “Notre-Dame de Paris: Në zemër të kantierit” do të jetë e hapur për vizitorët nga e marta në një objekt nëntokësor përballë katedrales.
Ekspozita do të prezantojë punimet e vazhdueshme në lokacion, si dhe disa mbetje nga zjarri dhe vepra arti nga katedralja, transmeton Tanjug.
Gjenerali Georgelin njoftoi se katedralja do të rihapet në dhjetor 2024, në përputhje me qëllimin e vendosur nga Presidenti Emmanuel Macron menjëherë pas zjarrit.
Çdo ditë në kryeqytet dhe në të gjithë Francën, të paktën 1,000 njerëz punojnë për të restauruar katedralen, tha Georgelin.
Philippe Jost, drejtori i përgjithshëm i agjencisë qeveritare që mbikëqyr rindërtimin, tha se rezultati “do të jetë besnik ndaj arkitekturës origjinale” pasi punëtorët e restaurimit “mbahen pas formave të humbura të katedrales, materialeve dhe metodave të ndërtimit të mesjetës”.
Një zjarr shpërtheu në Katedralen Notre Dame më 15 prill 2019, në orët e vona të pasdites nën çati dhe u shua 15 orë më vonë. Nga zjarri janë djegur çatia dhe kulla në çati, ndërsa pjesa e brendshme e katedrales, muret e sipërme dhe dritaret janë dëmtuar shumë.
Vetëm 12 orë pas shpërthimit të zjarrit, më shumë se 900 milionë euro donacione u mblodhën nga e gjithë bota për restaurimin e katedrales.