Është arrestuar pronari i lokalit në Sarandë ku humbi jetën kamarieri 17-vjeçar pas shkëputjes së kavos së ashensorit.
37-vjeçari është kapur dhe ndaluar në pikën kufitare të Qafë Botës.
“Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Botë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e krimeve kufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim S. I., 37 vjeç, banues në Sarandë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 26.08.2023, në lokalin në pronësi të tij, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.