Zëvendës presidentja e SHBA Kamala Harris mbërriti në Ganë, ndalesa e parë në turneun e saj në tre vende afrikane, me qëllim që të forcojë lidhjet diplomatike midis Uashingtonit dhe kontinentit.
Udhëtimi i saj në Gana, Tanzani dhe Zambia, i cili përfundon më 2 prill, pason samitin e dhjetorit SHBA-Afrikë në Uashington, ku Presidenti Joe Biden u zotua për një partneritet gjithëpërfshirës me Afrikën ndërsa SHBA kërkon të forcojë praninë e saj në kontinent për shkak të ndikimit në rritje të Kinës dhe Rusisë, transmeton agjencia AFP.
Kamala Harris, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Douglas Emhoff, u mirëprit në aeroportin e Akra nga zëvendës presidenti i Ganës Manmudu Bawumia dhe zyrtarë të lartë.
Me të zbritur nga avioni, ajo u përshëndet nga vallëzimet tradicionale nën tingujt e daulleve dhe studentët duke valëvitur flamujt ganez.
“Ne mezi presim ta kthejmë këtë udhëtim në një afirmim të ri të miqësisë së qëndrueshme dhe të rëndësishme midis popullit amerikan dhe atyre që jetojnë në kontinentin afrikan”, tha Harris.
“Kam pritshmëri të mëdha në lidhje me të ardhmen e Afrikës dhe ndikimin e saj në pjesën tjetër të botës, përfshirë SHBA-në”, shtoi ajo pas mbërritjes së saj.
Gjatë vizitës, nënpresidentja amerikane duhet të diskutojë krizën klimatike, përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe rritjen e investimeve në kontinent, theksoi ajo.
Ajo do të takohet me presidenten Nana Akufo-Addo dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Të mërkurën Harris do të largohet nga Gana për në Tanzani.
Gana ka nënshkruar një marrëveshje kredie prej 3 miliardë dollarësh me FMN-në dhe po negocion me Kinën për problemet e saj ekonomike.