Periudha e praktikës për mësuesit e rinj pas studimeve master nuk do të zgjasë më 1 vit, por 3 muaj. Lajmi është bërë me dije nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi. Sipas saj, shkurtimi i kësaj periudhe do të mundësojë pjesëmarrjen më të shpejtë të mësuesve në portal e më pas dhe në punësim.
“Dëshiroj të informoj të gjithë studentët dhe të sapodiplomuarit për mësuesi se me Urdhër Nr. 437, datë 20.07.2022, me ndryshimet e reja në Rregulloren e Praktikës Profesionale për profesionin e rregulluar të mësuesit, periudha e praktikës pas studimeve master nuk do të zgjasë më 1 vit, por vetëm 3 muaj (një periudhë mësimore).
Shkurtimi i kësaj periudhe vjen si unifikim i kohëzgjatjes së praktikës edhe me profesionet e tjera të rregulluara, si ai i mjekut, i infermierit dhe i psikologut, të cilët gjithashtu e kanë kohëzgjatjen e praktikës 3 muaj. Kjo mundëson pjesëmarrje më të shpejtë të mësuesve në portal e më pas edhe për punësim. Në fokus të vëmendjes sonë janë pa dyshim nxënësit, për arsim cilësor e gjithëpërfshirës, por gjithashtu edhe mbështetja dhe vlerësimi i mësuesve në misionin e tyre për edukimin e brezave”, tha Kushi në rrjetin social Facebook.