Jetoj në një shoqëri në të cilën do më duhet të mendoj gjatë dhe se ku do e pi kafenë, pasi ajo mund të jetë në pronësi të një krimineli, që ka shumë “hesape” për të larë dhe kundërshtarët e tij nuk e llogarisin aspak jetën time!
Jetoj në një shoqëri ku edhe pse e kam marrë patentën me forcat e mia, pa dhënë asnjë qindarkë e pa futur mik, ku përpiqem të respektoj çdo rregull të qarkullimit rrugor, adrenalina e një të “papërgjegjshmi” mund të ma marr jetën në çdo moment.
Jetoj në një shoqëri që nëse zgjedh të mos marr makinën, kam frike të hip në autobus, sepse mund të përfundojë në Lanë, apo mes dhjetëra makinave të përplasura, e ç’është me absurdja, askush nuk do mbajë përgjegjësi!
Jetoj në një shoqëri të ashtuquajtur demokratike, por sot, në 2023 ende po diskutohet nëse do kemi një opozitë në zgjedhje apo jo!
Jetoj në një shoqëri ku edicionet e lajmeve janë të mbushura me politikë, por shumë pak po flasin për “hallet” e mia!
Jetoj në një shoqëri ku kudo dëgjoj për Big Brother, madje protestojnë për X banorë se produksioni i ka bërë padrejtësi, por nuk reagojnë për çmimet e larta, për shërbimin skandaloz në sportelet shtetërore, për trajtimin pa dinjitet dhe pa asnjë respekt nga administrata, për pagat e ulëta.
E meqë jemi te paga, jetoj në një shoqëri që është kthyer në një “luks” ta marrësh pagën çdo muaj, se mund të ndodh ta marrësh një herë në 2 ose 3 muaj, por unë do duroj se “kështu është kudo”.
Jetoj në një shoqëri ku zyrtarë të qeverisë janë akuzuar për korrupsion, po askush nuk mban përgjegjësi sepse “përgjegjësia është individuale”.
Jetoj në një shoqëri ku policia në vend që të më mbrojë e të kujdeset për sigurinë dhe rendin në vend, bashkëpunon me krimin e bëhet “truprojë” e tij.
Jetoj në një shoqëri që kam frikë të investoj në shtëpi, pasi një ditë “mund të më kap lapsi” dhe aty të ndërtohet një pallat ose një kullë, sepse ky është tregues i modernizimit!
Jetoj…
Jetoj…
Jetoj…
Jetoj në një shoqëri, ku s’dua të jetoj më
PS. Shumë prej jush mund të ketë më shumë arsye nga sa kam listuar unë…./B.K