Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Postimi”, ku janë vënë në pranga tre të rinj, të cilët akuzohen se përmes dhunës dhe presionit i kanë marrë një 20-vjeçari një shumë prej 2mijë eurosh.
Të arrestuarit janë Dervish Rusta, Elidon Bosco (Sulollari) dhe Françesko Çengeli.
NJOFTIMI I POLICISË SË ELBASANIT:
Operacioni, nga strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit. I morën me anë të kanosjes dhe dhunës, një shumë parash, një shtetasi, vihen në pranga 3 autorët e dyshuar. Në banesën e njërit prej tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra doza me kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete. Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për moskallëzim krimi. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se 3 shtetas kishin kanosur dhe dhunuar një shtetas dhe i kishin marrë atij, një shumë parash, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.
Në kuadër të operacionit “Postimi”, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit: D. R., 23 vjeç, E. B.(S), 25 vjeç dhe F. Ç., 26 vjeç, të tre banues në Elbasan. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dhunuar dhe kanosur me jetë shtetasin A. A., 20 vjeç, banues në Belsh dhe i kanë marrë atij shumën 2000 euro, pasi ai kishte postuar në rrjetin social instagram, automjetin e shtetasit D. R.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. R., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 74 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, 2 peshore elektronike, 1 radio marrëse-dhënëse dhe 2 automjete. Në vijim të veprimeve janë referuar materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasit: A. K., 43 vjeç, A. H., 51 vjeç, A. B., 29 vjeç, të tre banues në Elbasan, pasi kanë patur dijeni për ngjarjen dhe nuk kanë kallëzuar në Polici. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.