Japonia planifikon të vendosë kufizime eksporti për 23 lloje të pajisjeve të prodhimit të gjysmëpërçuesve, pas kufizimeve të ngjashme nga SHBA kundër Kinës.
Për këtë shkruan Financial Times.
Masa e Japonisë është në përmbushje të pjesës së saj të një marrëveshjeje trepalëshe me SHBA-në dhe Holandën që do të kufizojë ashpër aftësinë e Kinës për të importuar pajisje të përdorura për prodhimin e llojeve më të avancuara të gjysmëpërçuesve.
Ministri i Tregtisë i Japonisë, Yasutoshi Nishimura tha se kontrollet do të mbulonin gjashtë kategori të pajisjeve të përdorura në prodhimin e çipave, duke përfshirë zonat më të specializuara.
“Ne nuk kemi një vend specifik në mendje kur marrim këto masa”, tha Nishimura.
Sipas zyrtarëve të qeverisë japoneze, shtrirja e kufizimeve është më e madhe se ato të vendosura vitin e kaluar nga Shtetet e Bashkuara.
Eksportuesve të pajisjeve do t’u kërkohet të marrin licenca për të gjitha rajonet e eksportit, duke i dhënë ministrisë mundësinë për të kontrolluar shitjen e pajisjeve në vendet e treta që teorikisht mund të prodhojnë çipa të teknologjisë së lartë për përdorim ushtarak.
“Duke zgjeruar rajonet në të cilat do të zbatohen këto masa, ne donim të merrnim parasysh një gamë më të gjerë rreziqesh që lidhen me teknologjitë e avancuara gjysmëpërçuese”, tha një nga bashkëbiseduesit e agjencisë. “Kina nuk është rreziku i vetëm”.
Kufizimet, të cilat do të hyjnë në fuqi në korrik, do të prekin një gamë më të gjerë kompanish sesa pritej më parë: përveç Tokyo Electron dhe Nikon të diskutuar më parë, rreth 10 kompani do të kenë nevojë për licenca.