Të radhës që kanë përfituar nga ‘Pakoja e Madhe’ janë edhe të gjitha kategoritë e Forcave të Armatosura. Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka bërë me dije lajmin, duke njoftuar se ato kanë marrë pagesën prej 20 mijë lekësh.
“Nga Pakoja e Madhe u shpërblyen edhe të gjitha kategoritë e Forcave të Armatosura, përfshirë edhe Orkestrën e re Frymore të FA, një krijesë e rilindur pas dekadash, si pjesë e zhvillimit dhe modernizimit të vazhdueshëm të ushtrisë sonë”, shkruan Rama.
Kjo pagesë u ka ardhur si ndihmë për të përballuar pasojat e luftës në Ukrainë.
“1.000.000 qytetarë kanë përfituar nga Pakoja e Madhe, e cila ua ka bërë më të lehtë këtë dimër të vështirësuar për mbarë Europën nga inflacioni i luftës”, shtoi kreu i qeverisë.
Pakoja e Madhe ka vlerën e 8 miliardë lekësh. Ajo erdhi si një ndihmë për shtresat më të prekura. Fillimisht e kanë marrë nënat kryefamiljare, mësuesit, punonjësit e zonave të mbrojtura, policët si edhe së fundmi anëtarët e Forcave të Armatosura.