Ditën e sotme ka përfunduar afati i aplikimeve dhe tre prej anëtarëve të Kushtetueses kanë shprehur interes. Mësohet se bëhet fjalë për Fiona Papajorgjin, Marjana Seminin dhe Holta Zaçajn. Në datën në datën 15 shkurt 2023, ora 10:00, është vendosur për të dëgjuar platformat dhe vizionin e secilës kandidate, për të vijuar më tej me procedurat e votimit për zgjedhjen e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në kuadër të procedurës së zgjedhjes së Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese u mblodh sot, më 2 shkurt 2023, dhe konstatoi përmbylljen e afatit të aplikimeve. Për këtë pozicion kanë shprehur interesin 3 gjyqtare, të renditura më poshtë, sipas rendit alfabetik, me bazë mbiemrin: Fiona Papajorgji, Marjana Semini dhe Holta Zaçaj”, thuhet në njoftimin e gjykatës Kushtetuese.
Pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese u plotësua me 9 anëtarë, teksa ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim e ka konsideruar si një arritje të madhe të Reformës në Drejtësi.
Zgjedhja e kryetarit të Kushtetueses
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese zgjidhet me votim të fshehtë, me shumicën e votave të të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës Kushtuese, për një periudhë 3-vjeçare me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Seanca për zgjedhjen e Kryetarit drejtohet nga gjyqtari më i vjetër në detyrë. Në rast se ka më shumë se një kandidat dhe gjatë votimit asnjëri prej tyre nuk merr shumicën e parashikuar të votave, bëhet një votim i ri dhe, pas këtij, vijohet me votimin mes kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave. Në përfundim të këtij votimi shpallet i zgjedhur kandidati që ka marrë shumicën e votave. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e votave ose votat janë ndarë në mënyrë të barabartë, Kryetari caktohet me short. Procedura e zhvillimit të shortit parashikohet me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve. Kryetari i zgjedhur njofton Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit.
PËRBËRJA E GJYKATËS KUSHTETUESE
- Marsida Xhaferllari, anëtare
2. Dr. Fiona Papajorgji, anëtare
3. Dr. Elsa Toska, anëtare
4. Sonila Bejtja, anëtare
5. Dr. Sandër Beci, anëtar
6. Ilir Toska, anëtar
7. Gent Ibrahimi, anëtar
8. Prof. Dr. Marjana Semini, anëtare
9. LL.M. Holta Zaçaj, anëtare