Autoriteti kombëtar i mbrojtjes së të dhënave të Italisë ka thënë se ka bllokuar përkohësisht përdorimin e softuerit të inteligjencës artificiale ChatGPT në atë vend, pas një rasti të zbulimit të të dhënave personale, raporton Beta.
Në një deklaratë në faqen e saj të internetit, kjo agjenci e përshkroi masën si të përkohshme, “derisa ChatGPT të fillojë të respektojë privatësinë”, dhe pronari i ChatGPT, OpenAI, kufizohet përkohësisht në mbajtjen e të dhënave të përdoruesve nga Italia.
OpenAi nuk i është përgjigjur ende pyetjeve të AP në lidhje me rastin.
Megjithëse disa shkolla dhe universitete publike në mbarë botën kanë bllokuar përdorimin e ChatGPT në rrjetet e tyre lokale, për të parandaluar nxënësit dhe studentët ta përdorin atë për mashtrime dhe plagjiaturë, nuk është e qartë se si Italia do ta zbatojë ndalimin në nivel kombëtar.
Nuk është e sigurt që masa do të prekë aplikacionet nga kompanitë që tashmë kanë licenca OpenAI për të përdorur të njëjtën teknologji chatbot, siç është motori i kërkimit në internet i Microsoft Bing.
Sistemet e AI që fuqizojnë chatbot të tillë janë në gjendje të imitojnë stilin e të shkruarit njerëzor, bazuar në sasinë e madhe të librave dixhitalë dhe veprave të tjera që mund të gjejnë në internet.
Mbikëqyrësi i mbrojtjes së të dhënave të Italisë tha se OpenAI ka 20 ditë për të paraqitur një raport mbi masat që do të marrë për të mbrojtur privatësinë e të dhënave të përdoruesve të saj, në rast të kundërt do të përballet me një gjobë deri në 20 milionë euro ose katër për qind të totalit të të ardhurave të kompanisë në mbarë botën.
Sipas agjencisë, më 20 mars, ChatGPT u përball me humbjen e të dhënave “në lidhje me bisedat e përdoruesve dhe informacionin në lidhje me pagesën e abonimeve të shërbimit”.
Më parë, OpenAI raportoi se duhej të hiqte ChatGPT nga interneti më 20 mars për të rregulluar një gabim që lejonte disa njerëz të shihnin titujt në historitë e bisedave të përdoruesve të tjerë.