Kundërshtari i burgosur gjeorgjian dhe ish-presidenti Mikheil Saakashvili, i cili po vuan dënimin me burg në spital, “rrezikon të vdesë” për shkak të humbjes së rëndë në peshë, paralajmëruan mjekët dhe avokatët e tij të premten e 3 shkurtit.
Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.
Ish-udhëheqësi 55-vjeçar u dërgua në spital vitin e kaluar pas një greve urie fillestare 50-ditore për të protestuar ndaj burgimit të tij për “shpërdorim të pushtetit”, të cilin OJQ-të e të drejtave të njeriut e kishin denoncuar si të motivuar politikisht.
“Pesha e Saakashvili-t ka rënë nga 115 në 68 kilogramë që nga arrestimi i tij në tetor 2021”, tha avokati i tij Dito Sadzaglichvili për AFP-në, duke theksuar se “është humbja e peshës ajo që kërcënon jetën e tij”.
Sipas Dr. Mariam Jichkariani, e cila ekzaminoi ish-presidentin, “Saakashvili vuan nga kaheksia”, një gjendje dobësie ekstreme dhe humbje peshe e lidhur me kequshqyerjen.
“Në mungesë të një diagnoze të duhur të gjendjes së tij dhe ndihmës adekuate mjekësore, ai rrezikon të vdesë”, tha ajo për AFP.
Nga ana e tij, ministri gjeorgjian i Drejtësisë, Rati Bregadze, këmbënguli se Mikheil Saakashvili po merrte të gjithë kujdesin e nevojshëm.
“Ky njeri po e dëmton veten duke refuzuar të hajë normalisht”, tha ai, duke akuzuar ish-presidentin se po ndjek “një objektiv të thjeshtë për të marrë lirimin e tij”.
Fjalë që janë cilësuar si një “gënjeshtër cinike” nga Dito Sadzaglichvili.
“Mikheil Saakashvili nuk refuzon ushqimin, ai nuk mund të hajë”, siguroi ai.
Mikheil Saakacvhili sundoi Gjeorgjinë, ish-republikën sovjetike të Kaukazit, nga 2004 deri në 2013, përpara se të shkonte në mërgim për tetë vjet.
Gjatë mërgimit të tij, Mikheil Saakashvili kryesisht jetoi në Ukrainë, një vend ku mori shtetësinë dhe ku mbante përgjegjësi politike.
Të enjten e 2 shkurtit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi autoritetet gjeorgjiane për “vrasjen e ngadaltë” të Mikheil Saakashvilit.
“I bëj thirrje botës që të ndihmojë në shpëtimin e jetës së Mikheil-it dhe parandalimin e ekzekutimit të tij”, shkroi ai në Twitter.
Këshilli i Evropës bëri thirrje vitin e kaluar për lirimin e tij dhe tha se e konsideronte atë një “të burgosur politik”.
OJQ-ja Amnesty International e përshkroi trajtimin e Mikheil Saakashvilit si “hakmarrje e dukshme politike”.
Pas kthimit të paligjshëm në Gjeorgji përpara zgjedhjeve lokale në fillim të tetorit 2021, Mikheil Saakashvili u arrestua menjëherë për të vuajtur dënimin me gjashtë vjet burg për “shpërdorim detyre”, të shqiptuar në mungesë në vitin 2018.