Ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani është thirrur këtë të hënë në Prokurorinë e Posaçme SPAK, ku ka dhënë shpjegime për më shumë se dy orë.
Cani është pyetur lidhur me çështjen e privatizimit të një prone, ku në muajin shtator të 2022 ka pasur edhe një kallëzim nga një grup ish- pronaresh të tokës ku ndodhet një ish-furrë buke në Tiranë. Ata pretendojnë se e kanë fituar të drejtën e tokës me vendim të Agjencisë së Kthimit dhe Kompesimit të Pronave.
Disa ministri, përfshirë dhe Ministrinë e Financave, janë përfshirë në një procedurë ankandi të privatizimit të objektit dhe tokës. Këtë procedure e ka fituar një subjekt tjetër dhe jo pronarët e tokës.
Pas daljes nga SPAK, ish-ministri Cani u shpreh se nuk është i surprizuar për asgjë që mund të thirret nga Prokuroria e Posame, ndërsa nuk pranoi të fliste lidhur me çështje konkrete për të cilat ishte marrë në pyetje.
I pyetur se çfarë pret nga SPAK përsa i përket çështjes së inceneratorëve, Cani ka thënë se pret vetëm drejtësi.
Gati një vit më parë, Cani dëshmoi në Komisionin Hetimor Parlamentar të ngritur për inceneratorët. Ai tha se kishte refuzuar procedurat e ndjekura për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, pasi kishin mospërputhje me ligjin.