Ish-kryeministri pakistanez Imran Khan është liruar nga paraburgimi, një ditë pasi Gjykata e Lartë vendosi të paligjshëm arrestimin e tij dramatik për akuzat për korrupsion.
Gjykatësit e liruan Khan me kusht, që do të thotë se ai nuk mund të arrestohet përsëri për të paktën dy javë, raporton Fena.
Më parë, Khan i tha BBC-së se besonte se do të arrestohej përsëri menjëherë pas lirimit të tij.
Khan u arrestua të martën, duke shkaktuar një valë protestash të dhunshme në të gjithë Pakistanin.
Kryeministri aktual i Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme të kabinetit të premten dhe ka diskutuar për krizën aktuale në atë vend, transmeton Anadolia.
Sharif fajësoi partinë e Pakistanit Tehreek-e-Insaf (PTI) të udhëhequr nga Khan për krizën aktuale.
Arrestimi i 70-vjeçarit Khan ka ndezur tensione mes tij dhe ushtrisë.
Shumë analistë besojnë se fitorja e Khan në zgjedhjet e 2018 ndodhi me ndihmën e ushtrisë, të cilën të dyja palët e kanë mohuar.
Por më vonë ai u përplas me ushtrinë. Pas një sërë dezertimesh dhe në mes të një krize ekonomike në rritje, ai humbi shumicën në parlament.
Që kur u rrëzua në më pak se katër vjet në mandatin e tij, ai është bërë një nga kritikët më të zëshëm të ushtrisë dhe analistët thonë se popullariteti i ushtrisë ka rënë.
Partia e tij në Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI) thotë se akuzat kundër tij – të cilat kanë të bëjnë me dhuratat që i janë dhënë nga udhëheqës të huaj gjatë kohës që ishte kryeministër – janë të motivuara politikisht.