Irlanda do të mbyllë një program që garantonte të drejtat e imigracionit për të huajt e pasur në këmbim të të paktën një milion eurosh investimi, njoftoi Ministri i Drejtësisë Simon Harris, duke iu përgjigjur një apeli nga Bashkimi Evropian.
Irlanda u ofroi leje investitorëve, por edhe atyre që do të dhuronin gjysmë milioni euro për qëllime filantropike, kujton Reuters.
Gjatë më shumë se 10 viteve, programi ka tërhequr më shumë se 1.2 miliardë euro investime, tha ministri Harris.
Megjithëse programi nuk garantonte një pasaportë irlandeze, investitorët e kualifikuar dhe anëtarët e familjes së tyre mund të aplikonin për shtetësi pas pesë vjetësh në Irlandë.
Ministri Harris tha se vendimi për t’i dhënë fund programit mori parasysh studimet e organizmave ndërkombëtarë si Komisioni Evropian, i cili vitin e kaluar u bëri thirrje qeverive anëtare të BE-së që t’i japin fund programeve për “shitjen” e shtetësisë tek investitorët, të konsideruar prej kohësh një rrezik sigurie.
Qeveria irlandeze ka marrë parasysh edhe opinionet e Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) dhe të Këshillit të Evropës, transmeton Hina.