Një varkë gome me dhjetëra emigrantë që po udhëtonin për në Evropë u mbyt pranë brigjeve të Libisë dhe të paktën 55 persona u mbytën, duke përfshirë gra dhe fëmijë, njoftoi të mërkurën agjencia e migracionit të OKB-së, raporton agjencia AP.
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin IOM njoftoi se katastrofa ka ndodhur të martën. Anija mbante të paktën 60 emigrantë dhe u nis nga qyteti bregdetar i Garabouli, në lindje të kryeqytetit libian Tripoli.
Agjencia njoftoi se pesë emigrantë mbijetuan dhe se roja bregdetare libiane i solli ata përsëri në breg. Nuk janë zbardhur ende rrethanat e aksidentit.
Safa Msehli, një zëdhënëse e IOM-it, tha se anija u përmbys pak pasi u nis nga Garabouli. Ajo tha se roja bregdetare libiane deri më tani kishte nxjerrë trupat e nëntë burrave dhe një fëmije.
Pesë të mbijetuarit janë katër burra – tre pakistanezë dhe një egjiptian – dhe një fëmijë sirian, tha Msehli për Associated Press.
Kjo është një tjetër në një seri tragjedish në Detin Mesdhe qendror, një rrugë kyçe për emigrantët.
IOM deklaron se të paktën 537 njerëz janë mbytur ose zhdukur në Detin Mesdhe jashtë Libisë deri më tani këtë vit, ndërsa më shumë se 4,300 janë kapur dhe janë sjellë në breg.