Nga Brunilda. K
“Nuk kam lexuar libër që 15 vjeçe!, ishte një nga titujt që u shpërnda “si kërpudha pas shiut” në portalet shqiptare, e ku protagonistja që e tha këtë deklaratë në një nga emisionet më të ndjekura në Shqipëri, nuk ndihej aspak “në faj”…
Njerëz të tillë jemi mësuar që t’i shohim jo pak në ekranet shqiptare, ku antivlerat shiten si vlera, në një kohë që këto të fundit nuk mungojnë aspak në shoqërinë shqiptare. Ajo që mund të thuhet është se njerëzit me vlera gjejnë shumë pak hapësirë. Pikërisht, kjo ishte edhe një ndër arsyet kryesore pse VesaNews, zgjodhi të kontaktonte me një nxënëse ekselente, siç është Eliana Meda, vajza nga Dibra, e cila është rritur në Tiranë dhe vijon studimet në Gjimnazin “Sami Frashëri” të kryeqytetit.
Fotoja e saj është shpërndarë në disa nga ledwallet gjigand të vendosura në kryeqytet, për këtë arsye, sot Eliana do të ndaj me ne pak nga përditshmëria e saj, si shihet ajo nga shoqëria shqiptare dhe ajo që është më e rëndësishme, a ka një mbështetje nga shteti, si një spunto për të vijuar më tej drejt kësaj rrugë, që më pas “t’ia kthejë mbrapsht”, e jo të lërë atdheun si shumë të rinj kanë zgjedhur kohët e fundit.
Si është një dita e jotja, sa orë në ditë i kushton mësimeve?
– Një ditë e imja është një ditë e zakonshme do të thoja. Fillimisht shkoj në shkollë e me mbarimin e saj gjej pak kohe për shoqërinë duke pirë “kafen” e famshme pas shkolle, më pas merrem me aktivitet fizik pasi më ndihmon shumë dhe në anën psikologjike, për t’u qetësuar dhe për të qenë pranë miqve të mi që më rrethojnë me energji pozitive. Më pas kur shkoj në shtëpi, nuk merrem menjëherë me studimet, por pushoj pak pas një dite të gjatë, që të jem dhe më “e freskët”.
A ke pasur raste ku je ndjerë jo mirë, si momente bulëzuese nga të tjerët që krenohen që nuk lexojnë libra?
-Jo, asnjëherë mendoj se kohët kanë ndryshuar e shoqëria jonë ka arritur kulturën e të lexuarit. Sigurisht në rrethin tim të përditshmërisë ka dhe persona që nuk e parapëlqejnë librin, ama nuk krenohen me këtë gjë dhe më vjen mirë për këtë.
A ke kohë për shoqërinë? Si e menaxhon kohën?
– Karakterizohem nga një sjellje shumë miqësore e si rrjedhojë kam shumë shoqëri. Siç e lartëcitova di të bëjë gjithmonë balancën mes shoqërisë dhe të studiuarit dhe besoj se kohën e menaxhoj mjaft mirë.
Cila është lënda jote e preferuar?
– Të gjitha me pëlqejnë, kanë secila pjesë shumë interesante që më tërheqin gjithmonë. Do të veçoja Biologjinë, pasi siç thotë dhe mësuesja ime gjithmonë: “Biologjia të mëson si funksionon ti, gjallesat dhe bimët në natyrë”.
A ke një mbështetje nga shteti si student ekselente?
– Po, nga shteti për çdo ekselent jepet një stimul në vlerën 45.000 lekë për çdo vit shkollor.
Nëse po, a është e mjaftueshme për ty për t’i mbuluar shpenzimet e nevojshme për shkollë?
– Sigurisht që nuk mbulon të gjitha nevojat e mia, por është një shumë e konsiderueshme për të mbuluar disa prej tyre dhe mund ta konsiderojë edhe si një formë stimuli për të studiuar gjithmonë e më shumë.
Cilat janë planet e tua për të ardhmen, a ke në plan që të lësh Shqipërinë për një jetë më të mirë?
– Duke patur Biologjinë lëndë të preferuar, po konsideroj të profilizohem në fushën e Mjekësisë. Studimet do t’i zhvillojë këtu dhe të ardhmen time do ta krijojë këtu sepse unë besoj në vendin tim, besoj se Shqipëria po vjen gjithmonë në përmirësim e nëse nuk qëndrojmë në, brezi i ri në Shqipëri për të kontribuar për shoqërinë e saj, si mund të shpresojmë në përmirësim?
A mendon se njerëz si ti kanë mjaftueshëm hapësira në media për të diskutuar mbi tema të ndryshme të shoqërisë?
-Po, kemi arritur në kohën e demokracisë ku ti mund të shprehesh lirshëm çdo mendim tëndin me anë të mediave dhe askush nuk të cenon këtë të drejtë.
A ka mjaftueshëm hapësira Tirana ku mundesh të studiosh, përtej shtëpisë?
-Shtëpia është vendi im i komfortit për të studiuar dhe nuk para e aplikoj studimin jashtë shtëpisë, por mendoj se Tirana ka ambiente te bollshme duke filluar nga bibliotekat, të cilat i kemi dhe në mjediset shkollore, mjafton te kemi dëshirë të studiojmë.
©Copyright VesaNews
Ky artikull është ekskluziv i VesaNews, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar VesaNews dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.