Në Tiranë, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve për metër katror deri në fund të muajit dhjetor 2023 arriti në 1,548 euro nga 1,095 euro në tremujorin e parë të 2021, sipas të dhënave të indeksit të “Keydata Albania”, një publikim nga Çelësi Media Group. Krahasuar me fillimin e 2021, çmimet mesatare të shitjes së apartamenteve u rritën me 41%.
Edhe çmimet mediane kanë lëvizur brenda intervalit 991 euro/m² në 1,452 euro/m², shoqëruar me një rritje 42,1% nga tremujori i parë 2021 në tremujorin e fundit 2023.
Në raport analizohet se rritja e çmimeve ka nisur që në tremujorin e parë të 2021, pas periudhës së pandemisë së Covid-19. Nga njëri tremujor te tjetri, duke nisur nga 2021, rritja mesatare e çmimeve varion nga 1,7 deri në 6,2%. Shtrenjtimi më i lartë ka qenë nga tremujori i tretë në tremujorin e katërt 2023, përkatësisht me 21%.
Rritja mesatare e çmimeve karakterizohet për tre ndarjet më të mëdha zonale: brenda Unazës së Vogël, ish-Blloku dhe jashtë Unazës së Vogël.
Brenda Unazës së Vogël, çmimi mesatar i shitjes së tremujorit të katërt 2023 arriti 1,804 euro/m². Çmimet mesatare krahasuar me tremujorin e parë 2021 u rritën rreth 56%.
Në zonën e ish-Bllokut, çmimi mesatar i shitjes të tremujorit të katërt 2023 arriti 2,160 euro/m². Çmimet mesatare krahasuar me tremujorin e parë 2021 u rritën me 45%.
Tendencë rritëse të çmimeve mesatare të shitjes së apartamenteve ka pasur edhe për pronat jashtë Unazës së Vogël. Çmimet mesatare reale në këtë zonë, deri tremujorin e katërt 2023, arritën në 1,434 euro/m². Nga tremujori i parë 2021 në tremujorin e fundit 2023, çmimet mesatare janë rritur me 38.3%.
Në krahasim me 2005-n, viti më i hershëm kur ka filluar llogaritja, indeksi i çmimeve është rritur 1,5 herë. Si bazë krahasuese për të gjitha periudhat e përfshira në vlerësim, ekspertët e “Keydata” kanë përcaktuar vitin 2005 si një periudhë që plotëson kriteret dhe kushtet e një momenti të qëndrueshëm për tregun e pronave të paluajtshme. Vlera e indeksit për vitin 2005 është caktuar 100…/Monitor