Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u njoh mëngjesin e të hënës me akuzën e shpërdorimit të detyrës nga Prokuroria e Posaçme. Beqaj u paraqit në SPAK pas përfundimit të hetimeve ndaj tij dhe 8 të pandehurve të tjerë. Këtyre të fundit iu komunikuan akuzat të premten e shkuar. Pasi u mor i pandehur për çështjen e sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë tha për mediat se të vërtetën e tij do ta ballafaqojë në Gjykatë.
Në bazë të hetimeve të SPAK rezulton se marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi koncesionin me vlerë 100 milion Euro me afat 10-vjeçar dyshohet se favorizonte koncesionarin. Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë. Për këtë dosje, të arrestuar janë ish zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe fituesi I koncesionit, biznesmeni Illir Rrapaj.