Mbi 3 milionë e 650 mijë shqiptarë janë thirrur sot të votojnë për drejtuesit e pushtetit vendor në të gjithë vendin. Por edhe pse qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00, në disa qarqe të vendit ka pasur probleme me pajisjet e identifikimit elektronik, ndërsa në disa të tjera mungesa të komisionerëve të opozitës.
Vonesa në nisjen e votimit ka pasur në Tiranë, Durrës, Kavajë, Dibër, Lezhë, Berat, Fier, Vlorë Elbasan e Korçë.
Në disa prej qendrave KQZ ka urdhëruar nisjen e procesit dhe zgjedhësit janë identifikuar përmes listave manualisht. Vetë kryekomisioneri Ilirjan Celibashi ka hasur vështirësi gjatë votimit në shkollën ‘Dëshmorët e Lirisë’ me aparaturën e identifikimit elektronik.
Ndërkaq në 100 qendra votimi në vend nuk ka operatorë teknikë, pasi janë tërhequr nga aplikimi dhe marrëveshja që kanë bërë me KQZ. Ndaj në këto qendra ku mungojnë operatorët teknikë votimi do të kryhet në mënyrë tradicionale.
Lidhur me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pritet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një njoftim zyrtar në orët në vijim.