29-vjeçari Klizjan Bajrami tentoi të digjte në datën 12 tetor lokalin “Urgjenca Club”, në afërsi të stadiumit “Selman Stërmasi”. Mësohet se Bajrami u porosit për djegien e këtij lokali nga Redi Balla 24 vjeç, i njohur më herët nga policia pasi është plagosur në zonën e Komunës së Parisit në tetor 2021 dhe aktualisht ndodhet ende në kërkim nga policia. Sipas kësaj të fundit, Redi Balla i pagoi Klizjan Bajramit 20 mijë lekë për ‘të kryer punë’.
Mbetet e paqartë se për çfarë arsye është kërkuar djegia e lokalit, por hetuesit kanë dyshime për ndonjë konflikt të pronarëve të lokalit me Redi Ballën. Identifikimi i autorit të zjarrvënies u bë nga agjentet e Komisariatit nr. 2 përmes gjurmimit të kamerave të sigurisë, të cilat pas vëzhgimit identifikuan dhe lokalizuan autorin Bajrami.
Redi Balla mbeti i plagosur me një plumb në këmbë mbrëmjen e 12 tetorit të 2021 në mjetin e tij të parkuar pranë një lulishteje. Agresorët përfituan atë natë pasi po luhej Shqipëri-Poloni në “Air Albania” dhe vëmendja ishte përqendruar te ndeshja.