Grupi hetimor në Elbasan ka marrë në dispozicion ekspertizën e një prej dronëve që sekuestruan pas arrestimit të dy shtetasve rus dhe një ukrainas në uzinën e Gramshit. Nga këqyrja e dronit është zbuluar se në të kishte pamje të disa institucioneve dhe reparteve. Konkretisht në dron kishte pamje të repartit RENEA, liqenit të Bovillës dhe repartit ushtarak pranë tij, rafinerisë së Patosit, si dhe disa objekte të tjera të rëndësishme ushtarake.
Nga ana tjetër, hetuesit janë në pritje të përgjigjes së ekspertizës për një tjetër droni të sekuestruar, por edhe aparateve celularë dhe pajisjeve të tjera që iu kapën tre të arrestuarve, të dyshuar si spiunë.
Mikhail Zorin, 23-vjeç, me pasaportë ruse, bashke me 33-vjeçaren Svetlana Timofeeva dhe 25-vjeçarin ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, janë pikasur nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik. Të tre janë arrestuar nga policia, ndërsa ka dyshime se janë agjentë të shërbimit sekret rus.