Çmimi tavan për naftën ruse për të cilin ranë dakord vendet e G7 hyri në fuqi këtë të hënë. Me këtë vendim Perëndimi përpiqet të kufizojë aftësinë e Moskës për të financuar luftën e saj në Ukrainë.
Kombet e G7 dhe Australia ranë dakord për një kufi të çmimit prej 60 dollarësh për fuçi për naftën e papërpunuar ruse në det, pasi anëtarët e Bashkimit Evropian mposhtën rezistencën nga Polonia.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bota kishte treguar dobësi duke vendosur kufirin në atë nivel. Sipas Zelensky, kufiri prej 60 dollarësh do të bënte pak për të penguar Rusinë nga lufta në Ukrainë. Presidenti francez Emmanuel Macron, megjithatë, tërhoqi kritika që Perëndimi duhet të marrë parasysh nevojën e Rusisë për garanci sigurie nëse pranon bisedimet për t’i dhënë fund luftës.
Marrëveshja e G7 lejon që nafta ruse të dërgohet në vendet e palëve të treta duke përdorur cisternat e G7 dhe BE-së, kompanitë e sigurimeve dhe institucionet e kreditit, vetëm nëse ngarkesa blihet me ose nën kufirin 60 dollarë për fuçi.
Moska edhe më herët ka deklaruar se vendet të cilat bien dakord për çmimin tavan nuk do t’i furnizojë me naftë dhe kjo gjë mund të çojë në një rritje të kërkesës për naftë dhe një rritje të shpejtë të çmimeve globale të karburantit, gjë që do të rrezikojë gjithashtu sigurinë energjetike të vetë BE-së. Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës ra dakord gjithashtu që t’i përmbahen objektivit të prodhimit të naftës në sfondin e rënies së çmimeve të naftës së papërpunuar dhe kufirit të çmimeve të vendeve perëndimore për naftën ruse.
Sipas një deklarate të lëshuar pas takimit të 34-të ministror të OPEC+, aleanca e prodhuesve të naftës vendosi të riafirmojë vendimin e takimit të mëparshëm ministror në fillim të tetorit, ku ra dakord të ulë prodhimin me dy milionë fuçi në ditë nga nëntori deri në fund të 2023. Ulja e prodhimit është e barabartë me rreth 2 për qind të kërkesës mesatare ditore globale të këtij viti për naftë.