Një ngjarje horror është regjistruar ditën e sotme, ku një 40-vjeçar i identifikuar Dan Hutra është autor i 3 grave të vrara sot në Tiranë.
Fillimisht, rreth orës 12:15, Dan Hutra ka shkuar në zonën e “Astirit” dhe ka qëlluar me thikë ish të dashurën e tij, Marjana Gurakuqi. Kjo e fundit ka mbetur e plagosur, e ndërsa i ka marrë edhe paratë. Edhe në dëshminë e saj, ajo ka pranuar se Dan Hutra i merrte shpesh para dhe kësaj here e ka qëlluar sepse nuk pranoi që t’i jepte paratë.
“E njoh Dan Hutrën, ai më qëlloi. Më kërkonte shpesh para, por sot nuk ia dhashë prandaj më qëlloi”, mësohet të ketë thënë Gurakuqi në Polici.
Më pas, Hutra ka shkuar në zonën e Paskuqanit në tentativë për të vrarë ish gruan e tij, Elena Hysa. Mirëpo, si pasojë e breshërisë së kallashnikovit, kanë mbetur të vdekura Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). Ndërsa të plagosura kanë mbetur, Elena Hysa, ish bashkëjetuesja dhe e ëma e saj, Kujtime Hysa, 60 vjeç të cilat po marrin ndihmën mjekësore në spitalin e Traumës. Nga sa mësohet, gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Para se të ndodhte ngjarja, Elena Hysa e kishte denoncuar në polici për dhunë të vazhdueshme. Ndonëse gjykata e Apelit e la në burg, ai është rikthyer në gjykatën e shkallës së parë, ku ka depozituar një dokument ku pretendonte se Elena Hysa e kishte falur. Për pasojë, gjykata e shkallës së parë, e la të lirë.
Ndërkohë, pas kësaj masakre, ai nuk është mjaftuar me kaq. Ai ka shkuar në Kamzë, ku ka ekzekutuar në oborrin e shtëpisë ish të dashurën tjetër, 31-vjeçaren Etleva Kurti. Me këtë të fundit, autori Dan Hutra përveç lidhjes intime, ka pasur edhe një lidhje tjetër. Etleva Kurti është e motra e Vladimir Kurtit, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Agim Bucit. Vladimir Kurti në një lidhje telefonike është shprehur se autor i vrasjes së tij ka qenë pikërisht Dan Hutra, pasi e kishte kërcënuar edhe më herët, kur të dy vuanin dënimin në burgun e Drenovës.
Ndërkohë, edhe në 2007, Dan Hutra është dënuar pasi ka vrarë me armë zjarri ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e kishte ekzekutuar me dy goditje me thikë në zemër e mëlçi.