Shpërtheu me tritol hotel ‘Bizanti’ në Sarandë, arrestohet Sotir Çabiri, djali i Spiro Çabirit. Ky i fundit ishte bashkëpronar me grekun Dhimitër Evangjeliu. Palët ishin në proces gjyqësor prej disa vitesh për ndarjen e pronësisë mbi këtë hotel. Si pasojë e shpërthimit u shkatërrua hoteli i ndërtuar në 1996 dhe u shkaktuan dëmtime të banesave pranë hotelit. Si duket 36-vjeçari Sotir Çabiri nuk e ka duruar dot më faktin se prona e babait të tij të vijonte seancat gjyqësore dhe i ka vënë hotelit ditën e djeshme 20-30 kilogramë tritol.
Sotir Çabiri është arrestuar nën akuzën e shkatërrimit të pronës me eksploziv, me pasoja të rënda materiale.