Përmes një letre zyrtare, drejtuar Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres së Turizmit Mirela Kumbaro, drejtuesi i një hoteli prestigjioz spanjoll në vendin tonë, Gabriel Escarrer Jaume ka kërkuar falje pasi gjatë konventës së turizmit realizuar në Tiranë, stafi i tij ka përdorur një hartë të Ballkanit, ku Kosova rezultonte të ishte pjesë e Serbisë.
Në letër përdorimi i kësaj harte nuk kishte asnjë qëllim politik, por ishte një gabim i stafit, që nuk kishte marrë hartë të përditësuar të Ballkanit.
“E di që nga qeveria juaj e keni kuptuar se nuk ishte asgjë më shumë se një gabim dhe se ekipet tona në asnjë moment nuk janë përpjekur të cenojnë ndjeshmërinë e askujt, e lëre më të pozicionohemi politikisht në asnjë mënyrë”, shkruan CEO spanioll, Jaume.
Në letrën e ndjesës, ai shton se turizmi është një mjet për binjakëzimin e qyteteve dhe për krijimin e mirëqenies sociale dhe ekonomike.