Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë në Azerbajxhan, ku është pritur nga presidenti i këtij vendi Ilham Aliyev. Njoftimin e ka bërë vetë në rrjetet sociale ku shkruan:
“Me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, për një bilanc të ecurisë së marrëdhënieve pas vizitës së tij në Shqipëri, ku u vendosën piketa të rëndësishme konkrete bashkëpunimi, si edhe për ta falenderuar për dekretin presidencial të çeljes së ambasadës së Azerbajxhanit në Tiranë”.
Në këtë vizitë, Kryeministri shoqërohet nga zv/Kryeministrja dhe ministrja e Energjetikës, Belinda Balluku dhe ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro. Kujtojmë se Presidenti i Azerbajxhanit ndodhej në Tiranë më 15 Nëntor në një vizitë zyrtare në vendin tonë.