Komisariati i Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 4. në Tiranë ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Escape” duke vënë në pranga 2 autorë të një grabitje me armë që ka ndodhur në kryeqytet.
Mësohet se “skifterët”, me dy prej tyre ende në arrati dhe njërin prej të arrestuarve që kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës, një shumë parash dhe biçikletën, një 23-vjeçari.
Policia ka vënë në pranga shtetasit Sebastian Ogici dhe Ruzhdi Thano. ndërsa gjatë operacionit është sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një shumë parash dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas njoftimit të marrë se në Selitë, disa persona të paidentifikuar, nën kërcënimin e armës, i kishin marrë shtetasit K. Z., 23 vjeç, një shumë parash dhe biçikletën, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Escape”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar.
Si rezultat i këtij operacioni, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 është bërë identifikimi, kapja dhe arrestimi i shtetasve:
– S. O., 19 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
– R. Th., 23 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
– M. F., 23 vjeç, dhe E. S., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë nën kërcënimin e armës, shtetasit K. Z., 1450 euro, një shumë lekësh, aparatin celular dhe biçikletën.
Gjatë kontrollit fizik, shtetasit S. O. iu gjetën dhe iu sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pistoletë, e dyshuar e përdorur gjatë vjedhjes dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve ka rezultuar se ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Vjedhja”, duke dalë jashtë banesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.