Pothuajse gjysma e amerikanëve kanë frikë për paratë në llogaritë e tyre bankare, për shkak të trazirave aktuale në sistemin bankar amerikan dhe krizës financiare të vitit 2008.
Një total prej 48 përqind e të anketuarve kanë frikë për paratë e tyre, duke përfshirë 19 përqind të cilët janë “shumë të shqetësuar”, tregoi sondazhi i Gallup.
Rreth 30 për qind e të anketuarve janë “jo shumë të shqetësuar”, dhe 20 për qind janë “aspak” të shqetësuar për paratë që kanë depozituar në llogaritë e tyre bankare.
Sondazhi tregoi një hendek midis të anketuarve që janë me arsim të lartë dhe atyre që nuk janë.
Rreth 54 për qind e amerikanëve që nuk janë me arsim të lartë dhe 36 për qind e amerikanëve me arsim të lartë shprehën shqetësimin për paratë në llogarinë bankare, transmeton Hina.
Frika e humbjes së depozitave të parave të gatshme shqetëson çdo të anketuar të dytë që jeton në një familje me të ardhura vjetore deri në 100,000 dollarë.
Në kategorinë me të ardhura më të larta, 40 për qind e tyre shprehën shqetësim.
Gallup raporton se qytetarët me të ardhura më të ulëta dhe ata pa diplomë kolegji mund të jenë të shqetësuar sepse nuk e dinë që depozitat deri në 250,000 dollarë janë të siguruara nga Agjencia Federale e Sigurimit të Depozitave (FDIC).
Një arsye tjetër e mundshme është pakënaqësia me administratën aktuale apo gjendjen e ekonomisë amerikane.
Gallup mati për herë të fundit shqetësimet e amerikanëve për paratë në llogaritë e tyre bankare në vitin 2008, në kulmin e krizës financiare, me rezultate shumë të ngjashme.
Kështu, në një anketë të kryer në shtator 2008, 45 për qind e amerikanëve deklaruan se kanë frikë për sigurinë e depozitave në para.