Themeluesi i “Thodex”, Faruk Fatih Özer ka dalë sot para Gjykatës së Elbasanit për tu njohur me masën e sigurisë ndërsa Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrest me burg. Gjyqtar i çështjes është Elis Dine ndërsa prokuror Kreshnik Ajazi. Në seancën me dyer të mbyllura, bosi turk i kriptomonedhave kërkoi që të mos e ekstradojnë në Turqi me pretendimin se atje i rrezikohet jeta.
“Ndaj meje është sulm politik. Mos më ekstradoni, më rrezikohet jeta në Turqi”, kështu ka thënë bosi turk i kriptomonedhave në seancën gjyqësore që po mbahet në Elbasan, ku do të njihet me masën e sigurisë.
Ai u arrestua në jug të vendit katër ditë më parë. Ai u arrestua në jug të vendit katër ditë më parë. Özer ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi dyshohet se ka mashtruar 400,000 persona, të cilët kanë depozituar 2 miliardë dollarë kriptovaluta në bursë.
Mësohet se Özer nuk ka marrë avokat, por do të caktohet kryesisht nga gjykata. Prokuroria e Elbasanit thonë se Faruk Fatih Özer është identifikuar nga shenjat e gishtërinjve.
“Autoritetet turke të cilat kanë lëshuar Urdhërin Ndërkombëtar të Arrestit ndaj Faruk Fatih Özer kanë bërë të ditur se pas arrestimit të tij, menjëherë do të nisin procedurat për ekstradim në rrugë diplomatike dhe gjyqësore. Po kështu janë administruar dhe materialet identifikues për shtetasin Faruk Fatih Özer, ku përfshihet kartela foto-daktiloskopike dhe akti i ekspertimit daktiloskopik nr.11039, datë 30.08.2022 sipas së cilit rezulton se gjurmët e daktiloskopuar më datë 30.08.2022 i përkasin shtetasit turk Faruk Fatih Özer”.
Prokuroria e Elbasanit kërkon nga gjykata të caktojë masën e sigurimit arrest me burg me qëllim që Turqia të nisë procedurat e ekstradimit ndaj shtetasit turk Faruk Fatih Özer.
“Miratimin e arrestimit provizor të shtetasit turk Faruk Fatih Özer të kryer nga oficerët e policisë gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan. Caktimin e masës provizore të sigurimit personal shtrënguese “Arrest në burg”, për shtetasin turk Faruk (Fatih) Özer, i biri i Zulkuf dhe Nursel, lindur në Gebze të Republikës Turke më datë 17.02.1994, me qëllim ekstradimi e tij në Turqi”, thuhet në përfundim të kërkesës”, thuhet në dokument.
Ndërkohë gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasin turk Faruk Ozer.
Vendimi i hap dritën jeshile ekstradimit të tij në Turqi, pasi akuzohet se mashtroi qindra mijëra njerëz me investime në bursë.
“Ai erdhi si biznesmen në Shqipëri, për të investuar”- Avokatja e bosit turk të kriptomonedhave: Dëmi nuk është 2 miliardë dollarë, gjysma e të dëmtuarve janë kompensuar!
Avokatja e Faruk Ozer e ka mbrojtur klientin e saj duke deklaruar para mediave se i riu “nuk është personi përgjegjës për ato që e akuzojnë”. Avokatja ka deklaruar se Ozer i ka dëmshpërblyer një pjesë të personave që kanë investuar në kriptovaluta.
Sipas saj, ai ka mbërritur në shtetin shqiptar vitin e kaluar me pasaportën e tij dhe jo një të falsifikuar.
“Shuma e cila mendohet që Faruk Ozër ka marrë është gënjeshtër”, u shpreh avokatia.
Lidhur me vendimin e gjykatës e cila e la në burg bosin turk të kriptomonedhave, ajo tha se do të apelohet.
“Bëhet fjalë vetëm për politikë. Në mediat shqiptare dhe ato turke thuhen gënjeshtra për akuzat ndaj tij. Ne mund të themi prokuroria e Turqisë dhe institucionet atje thuhet se dëmi është 20 mln dollarë dhe jo 2 miliard dollarë sic thuhet në media. Ai nuk është personi përgjegjës për ato krime që e akuzojnë. Nga 20 mln dollarë dëm, gjysma e tyre i janë kompensuar familjeve. Dhe gjysma e familjeve të dëmtuara i kanë tërhequr pretendimet. Ka arsye politike. Ai erdhi si biznesmen në Shqipëri, erdhi për të investuar”, tha avokatja.