Gjykata e Kasacionit e Italisë, dega më e lartë gjyqësore e vendit, ka vendosur se emoji-t e përdorur në e-mail mund të jenë baza për një padi për shpifje.
Kështu bën të ditur “E vërteta europiane” duke iu referuar vendimit të gjykatës të publikuar këtë javë.
Gjykata italiane e Kasacionit mori një vendim të tillë pas ankesës së një banori të qytetit verior të Luino.
Diskutimi i tij për çështjet e trafikut në Facebook përfundoi me një përdorues tjetër që tallej me shikimin e tij të dobët, duke e shoqëruar komentin me një seri emoji-sh për të qeshur.
Gjykata e shkallës së parë të qytetit të Vareses e shpalli fajtor autorin e postit fyes për shpifje, e gjobiti me 800 euro dhe e urdhëroi t’i paguante 2000 euro dëmshpërblim paditësit, një biznesmen vendas.
Dënimi u anulua më vonë nga një gjykatë apeli në Milano, e cila vendosi se argumenti përmbante gjuhë fyese, por nuk përbënte krim.
Avokatët e të pandehurit pretenduan se “një defekt në shikim nuk ia pakëson vlerën një personi” dhe sjellja e klientit të tyre thjesht “e tregoi atë në një dritë të keqe”.
Tani Gjykata e Kasacionit ka vendosur që emoji-t në postim të kenë ende një kuptim shpifës, pasi në këtë rast bëhej fjalë për dëmtim të reputacionit në sytë e të tjerëve.
Çështja është dërguar në një gjykatë më të ulët, ku duhet të rivlerësohet vlera e dëmit.