Më shumë se tre milionë e gjysmë njerëz në Gjermani kanë më shumë se një punë, dhe në njëzet vitet e fundit numri i njerëzve që punojnë në disa vende pune është më shumë se dyfishuar, shkruan Deutsche Welle.
Këto janë zakonisht punë me aftësi të ulëta ku paguhet paga minimale për orë e garantuar me ligj, e cila, siç paralajmëron sekretari i përgjithshëm i sindikatës ver.di, Philipp Schumann, nuk mjafton për të jetuar, raporton agjencia FoNet.
“Me një pagë të garantuar për orë prej 12 euro dhe një javë pune 42 orëshe, ju mund të fitoni pak më pak se 2200 euro bruto, që është 60 për qind e të ardhurave mesatare në Gjermani dhe nuk mjafton për të jetuar”, tha Schumann.
Në Gjermani, është e zakonshme që paga të shprehet në shumën bruto dhe nga kjo zbriten kontributet për sigurimet pensionale dhe shëndetësore, si dhe taksa e kishës dhe tatimi mbi të ardhurat, kështu që nga 2220 euro bruto, rreth 1500 euro vijnë në llogari.
Schumann beson se paga minimale për orë duhet të jetë 17 deri në 18 euro.
Ndryshe, Gjermania kërcënohet nga “mënyra amerikane e jetesës”, ku njerëzit shpeshherë duhet të punojnë shumë punë.
Në mëngjes shpërndan gazeta, ditën punon në një shërbim korrier, pasdite në librari dhe në mbrëmje si kamarier.
Hapi i madh i qeverisë së re të koalicionit ishte ngritja e pagës minimale për orë në 12 euro vitin e kaluar, por inflacioni dhe rritja e çmimeve “hëngrën” pothuajse gjithçka që u përftua me atë vendim.
Sipas të dhënave zyrtare, pothuajse 17 për qind e popullsisë në Gjermani, pra më shumë se 14 milionë qytetarë, aktualisht janë të prekur nga varfëria dhe ky numër është ende në rritje për shkak të inflacionit.