Qeveria gjermane ka miratuar një ligj që kërkon që nga viti i ardhshëm të gjitha sistemet e reja të ngrohjes të instaluara në ndërtesa të reja dhe të vjetra duhet të përdorin 65 për qind të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Ky ligj është në përputhje me ambicien e Gjermanisë për t’u bërë një vend neutral ndaj klimës deri në vitin 2045, por kritikët e reformës kanë frikë se ky tranzicion do të jetë i shtrenjtë për familjet më të varfra, raporton Reuters.
Si një alternativë ndaj lëndëve djegëse fosile, familjet do të mund të përdorin pompat e nxehtësisë që përdorin energji elektrike nga burime të rinovueshme, sistemet e ngrohjes qendrore, ngrohje elektrike ose diellore.
Plani shkakton mosmarrëveshje në koalicionin qeverisës dhe shumica e publikut gjerman është kundër tij.
Agjencia kërkimore Forsa deklaroi se pothuajse 78 për qind e gjermanëve e kundërshtojnë këtë tranzicion, ndërsa pothuajse 62 për qind e të anketuarve besojnë se faturat e energjisë do të rriten pas miratimit të këtij ligji.
Pothuajse gjysma e familjeve gjermane ngrohen me gaz natyror, ndërsa gati një e katërta përdorin ngrohje me naftë.
Miratimi i këtij ligji do të thotë që Gjermania duhet të mbyllë më shumë se 90 për qind të rrjetit të saj të gazsjellësit prej 500,000 kilometrash në 20 vitet e ardhshme.