Në kërkimin e saj për fuqi punëtore, Gjermania synon të fokusohet në vende jashtë Evropës, si Brazili, Meksika dhe Indonezia, tha Ministri i Punës Hubertus Heil.
“Së bashku me përfaqësuesit e ekonomisë, ne po punojmë për një strategji në vendet ku ka shumë më shumë punëtorë të rinj dhe të kualifikuar në tregun e punës sesa mund të thithin tregjet vendase të punës”, tha Ministri Heil (Partia Social Demokrate e Gjermanisë, SPD) në një intervistë me të përditshmen Neue Osnabruecker Zeitung.
Heil tha se do t’i kushtohet vëmendje që të mos privohet tregu i brendshëm i punës nga ekspertët e nevojshëm. Ai tha se ishte një situatë “win-win”.
“Ne përfitojmë, por edhe vendet e origjinës. Ne do të investojmë në formimin profesional të të rinjve në vend, dhe njerëzit që do të vijnë në Gjermani do të përfitojnë nga një punë e mirëpaguar që u jep atyre mundësinë të financojnë familjet në shtëpi”, tha Heil.
Heil duhet të udhëtojë në Brazil me Ministren e Punëve të Jashtme Annalena Baerbock në qershor për të diskutuar mundësinë e sjelljes së më shumë infermierëve, të cilët janë shumë të nevojshëm nga tregu gjerman i punës.
Marrëveshje të ngjashme duhet të lidhen me Meksikën dhe Indonezinë, dhe Heil tashmë vizitoi Ganën në shkurt me të njëjtin qëllim.
Siç raporton shërbimi publik ARD, qeveria gjermane po zhvillon gjithashtu diskutime për tërheqjen e fuqisë punëtore me Kolumbinë, Tunizinë, Marokun, Egjiptin, Indinë, Filipinet dhe Vietnamin.
Përveç fuqisë punëtore të kualifikuar në fushën e kujdesit, nga vendet e përmendura duhet të vijnë edhe punëtorë të tjerë të nevojshëm për tregun gjerman të punës.
Siç njoftoi Instituti për Ekonominë Gjermane (IW), në fund të vitit 2022, më shumë se 630,000 vende pune u raportuan në agjencitë e punësimit në Gjermani, të cilat nuk mund të plotësoheshin për shkak të mungesës së një fuqie të caktuar punëtore.