Të gjithë ishin mësuar ta shihnin, jo si një kalimtar të thjeshtë, por si performuesin që dhuronte emocion për ata që kishin kënaqësinë të dëgjonin muzikë. Gazment Suku mbahet mend si një besnik i Pedonales. Pasionin për muzikën, nuk e ka mbajtur kurrë për vete, por e ka ndarë në mënyrën më të bukur me qindra qytetarë që kalojnë në rrugët e Tiranës.
Ai, i shoqëruar nga kitara e tij këndon muzike të lehtë shqiptare dhe atë të huaj. Kjo lloj forme e të bërit art dhe muzikë, duke qënduar me orë të tëra, pa u ndaluar, ka tërhequr vemendjen e qytetarëve. Pikërisht kjo gjë i përcjellë atij emocione të veçanta.
Me tinguj të gjallë muzikorë, dhe zërin potent ka gjallëruar rrugët e kryeqytetit, duke ua bërë ditën më pozitive. Për të gjithë ato sy e vesh që shijojnë performancat e tij.
Ai rrugën e artit e nisi para shumë vitesh dhe besimi në Zot e mban atë stoik në mision e tij modest, të ndajë dashuri përmes melodisë. Gazi me talentin dhe zërin e tij unik i ka bërë për vete të gjithë ata që kanë pasur mundësinë ta dëgjojnë.
Edhe pse një këngëtar i ri dhe mjaft i talentuar, rruga drejt famës dhe televizionit nuk është aq e lehtë dhe aq e drejtë, pasi në Shqipëri nuk duhet vetëm talenti për të pasur sukses. Ai ka marrë pjesë edhe në “The Voice of Albania”, por rrugëtimi i tij nuk ishte i gjatë.
Mirëpo Gazi sfidën më të madh tashmë e ka fituar, atë të zemrës së qytetarëve. Gazi vazhdon ta ruajë me fanatizëm dashurinë për muzikën dhe artisti ka arritur t’ia dalë. Ai nuk heq dorë nga ajo çka di të bëjë më mirë, art dhe muzikë.