Suksesin e Shqipërisë në Euro 2024 e ka komentuar edhe gazeta tjetër sportive spanjolle “Mundo Deportivo”. Në artikullin me titull “Silvinjo, nga lavdia me Barçën në hero të Shqipërisë dhe rival të Spanjës”, gazeta e njohur vë në dukje suksesin e kuqezinjve të drejtuar nga braziliani.
Te katalanasit Silvinjo ka fituar tetë tituj, përfshirë 2 Liga Kampionesh, një nën drejtimin e Frenk Rajkard dhe një me Pep Guardiolën në stol. Sipas “Mundo Deportivo”, kuqezinjtë janë në Gjermani 2024 falë arkitektit 49 vjeçar.
Dhe pritet që ata të jenë një kundërshtar i denjë edhe kundër Spanjës, Kroacisë dhe Italisë në Grupin B.
“Ëndërrojmë që të zhvillojmë një Europian siç duhet ndaj skuadrave favorite, por edhe që të kemi vijueshmërinë në projektin tonë”, tha ai për gazetën spanjolle.
Silvinjo mori edhe vlerësimin e Shqiponjës së Artë nga kryeministri Edi Rama. Euro 2024 nis nga 14 qershori deri më 14 korrik.