Gjykata e Korçës le në burg ish drejtorin e burgut të Fushë-Krujës, Durim Toska i cili u ndalua nga policia e Pogradecit me akuzën e ‘dhunës në familje’ dhe ‘armëmbajtjes pa leje’. Në seancën e përcaktimit të masës së sigurisë, Prokuroria kërkoi arrest me burg për 53-vjeçarin deri në përfundim të hetimeve, kërkesë që u pranua nga Gjykata.
Dy avokatët mbrojtës të Toskës kërkuan një masë sigurie më të lehtë me argumentin se 53-vjeçari nuk e kishte dhunuar bashkëshorten por kishin pasur një debat normal familjar. Mësohet se edhe bashkëshortja ka tërhequr akuzën për dhunë në familje.
Sa i takon armës së gjetur nga policia gjatë kontrollit të banesës, Toska ka mohuar të ketë dijeni për ekzistencën e saj. Durim Toska u arrestua tre ditë më parë nga policia e Pogradecit , pas denoncimit të bashkëshortes për dhunë në familje. Gjatë kontrollit të banesës policia gjeti dhe një pistoletë model çek të cilën e mbante pa lejë.