Aeroporti i Rinasit është i zënë në çdo orë të ditës dhe të natës. Teksa rri në radhë mund të dëgjosh të flitet italisht, spanjisht, anglisht, gjermanisht, polonisht, arabisht etj.
Rifillimi i lëvizjes së lirë pas pandemisë dhe kthimi i vendit në një destinacion të preferuar turistik kanë rritur me shpejtësi tregun e fluturimeve ajrore dy vitet e fundit.
Ndihmë ka dhënë dhe hyrja e operatorëve me kosto të ulët, që kanë nxitur edhe më shumë udhëtimet. Të dhënat nga “Tirana International Airport” bënë të ditur se në vitin 2023, nga dhe përmes Rinasit, kanë udhëtuar një numër rekord prej rreth 7.3 milionë pasagjerësh, me rritje prej 44% në raport me vitin e mëparshëm.
Në krahasim me 2019-n, përpara se të fillonte ndërprerja nga pandemia, numri i pasagjerëve është më se dyfishuar. Pritshmëritë e aeroportit janë që këtë vit të kalohet shifra e 9 milionë pasagjerëve.
Në një treg në rritje, gara është e ashpër. Operatori me kosto të ulët “Wizz Air” ka fituar vazhdimisht terren, duke nxjerrë nga loja konkurrentët, teksa në tre vjet arriti të marrë më shumë se 50% të tregut.
Dominimi i tij krijoi terren për rritjen e çmimeve në pjesën e parë të vitit 2023, që u zbut në gjysmën e dytë, pas hyrjes së operatorit tjetër me kosto të ulët, irlandezëve të “Ryanair”.
Konkurrenca e fortë çoi në ikjen drejt Kosovës të “Albawings”, që bëhet operatori i radhës që largohet pas “Ernest Airline” në 2019 dhe “Blue Panorama” në 2020.
Më të fituar kanë dalë konsumatorët. Hyrja e operatorëve me kosto të ulëta ka sjellë çmime më të ulëta për udhëtarët, si për shqiptarët, ashtu dhe të huaj, duke qenë një faktor kryesor që ka nxitur ardhjen e turistëve të huaj.
Më shumë se gjysma e udhëtarëve janë të huaj dhe pesha e tyre ka ardhur në rritje nga viti në vit, sipas TIA.
Nëse prenoton rreth një muaj përpara mund të presësh bileta drejt Italisë, që kushtojnë 20 euro në një drejtim, 40-70 euro drejt dhe nga Barcelona, për në Londër 20 euro, në Stokholm 15-40 euro etj.
Gjermania shtrenjtohet ndjeshëm në qershor- korrik, për shkak të kërkesës së lartë për të ndjekur Kampionatin Europian, sidomos në datat kur luan dhe Shqipëria, duke i kaluar 100 euro për një ndërtim.
Si u nda tregu në vitin 2023, “Wizz” thellon kryesimin
Që nga 2019-a, kur realizoi vetëm 6% të fluturimeve, “Wizz Air” e ka rritur me shpejtësi dominimin në tregun vendas. Në 2021, kjo peshë arriti në 34%, duke u ngjitur në 58% në vitin 2022. Në 2023, tendenca e rritjes vazhdoi, ndonëse me ritme shumë më të ngadalësuara, duke e mbyllur vitin në nivelin e 61%.
Hyrja e operatorit tjetër me kosto të ulët, “Ryanair” në muajt e fundit të 2023, e ndali disi vrullin e hungarezëve.
Të ardhurat e “Wizz Air” nuk deklarohen në Shqipëri, pasi kompania është e huaj, me kapital hungarez dhe nuk dorëzon bilanc në Qendrën Kombëtare të Biznesit. Përmes saj qarkulluan nga dhe në Rinas rreth 4 milionë pasagjerë, në 2023, sipas të dhënave nga TIA.
Me një mesatare bilete prej rreth 30-40 eurosh, vlerësohet se ky operator ka qarkulluar rreth 150 milionë euro.
“Air Albania” e mbylli vitin 2023 si operatori i dytë më i madh, me 7% të tregut, në rënie nga 10% vitin e mëparshëm dhe 18% në 2021.
Hyrja e “Wizz air” ka ndikuar zgjerimin e këtij operatori në destinacionet përveç Stambollit. “Air Albania”, që është pjesërisht në pronësi të shtetit (10%) nuk ka dorëzuar asnjëherë bilanc.
Sipas të dhënave nga Tatimet, qarkullimi vjetor i kompanisë ishte rreth 3.8 miliardë lekë në vitin 2021, për të arritur në rreth 5 miliardë lekë (48 milionë euro) në vitin 2022.
Në vend të tretë është “Albawings”, operatori me kapital shqiptar, që zuri 5% të tregut, nga 10% në 2019-n. Të ardhurat e tij, sipas bilancit, ishin 4.6 miliardë lekë (43 milionë euro).
Në janar, kompania njoftoi se do të transferonte aktivitetin në Kosovë. Në Shqipëri, “Albawings” nuk arriti të jetë fitimprurëse. Në 2022, ajo raportoi një humbje prej rreth 170 milionë lekësh, nga -410 milionë lekë vitin e mëparshëm.
“Lufthansa” dhe “Austrian Airlines” zunë përkatësisht 4% dhe 3% të fluturimeve në vend. Pesha e tyre në vite është e qëndrueshme, teksa ato janë të përqendruara kryesisht në fluturimet tranzit drejt destinacioneve të largëta.
Me vetëm dy muaj aktivitetit, “Ryanair” arriti të ketë 2% të tregut.
“Pegasus Airline”, me destinacion Turqinë realizoi 2% të fluturimeve, në rënie të ndjeshme nga 7% në 2021, e ndikuar nga konkurrenca e “Air Albania”.
Aktiviteti i charter-ave kulmoi në vitin 2021, kur Shqipëria filloi të bëhej një destinacion i preferuar turistik. Në 2019-n, përmes charter-ave fluturuan 8% e pasagjerëve.
Pesha e tyre ra më pas, duke zbritur në 4% në vitin 2023, teksa operatorët me kosto të ulëta filluan fluturimet direkte në shumë destinacione të Europës, si Poloni, Norvegji, apo Çeki.
Sipas të dhënave nga “Tirana International Airport”, në vitin 2023 fluturuan gjithsej në Rinas 19 operatorë (përveç charter-ave), por pjesa e tregut për 10 prej tyre është rreth 1% secili.
“Ryanair” merr 20% të pasagjerëve që në dy muajt e parë të aktivitetit
Nga 31 tetori, operatori i fluturimeve “Ryanair” nisi fluturimet në Shqipëri. Që në muajin e parë të aktivitetit, në nëntor, kompania mori gati 21% të tregut, ndërsa në dhjetor, pesha u ul lehtë, duke zbritur në rreth 20%.
Në një intervistë të mëparshme për “Monitor”, CEO i “Ryanair”, Michael O’Leary, ka pohuar se parashikon rritje të shpejtë, me 1.6 milionë udhëtarë në vitin e parë, 3.2 milionë në vitin e dytë, 5 milionë në vitin e tretë, duke u bërë kështu kompania më e madhe ajrore në Shqipëri brenda tre vjetësh.
Ai pohoi se Shqipëria do të bëhet një prej destinacioneve më tërheqëse në Europë dhe Tirana do të jetë një prej qyteteve që do të shfaqet në tërë Europën, si një vend i ri për udhëtim.
Në fund të janarit, kompania njoftoi se do të shtojë 6 destinacione të reja për verën e 2024, duke e çuar në 22 numrin e udhëtimeve.
Drejtori ekzekutiv i kompanisë “Ryanair”, Michael O’Leary, tha se së shpejti do të krijohet baza e “Ryanair” në TIA./ Monitor