Anëtarët e grupit G7 pranojnë investime publike të përkohshme në sektorin e gazit, ndërkohë që shtetet përshpejtojnë përpjekjet për të arritur pavarësinë energjetike nga Rusia, thotë draft deklarata e përbashkët, e cila gjithashtu përmban një dispozitë për një botë pa armë bërthamore dhe sanksione kundër sektorit të minierave ruse.
Nëse deklarata përfundimtare të dielën, pas përfundimit të takimit të liderëve të G7 në Japoni, mbetet identike me draftin që disponon Reuters, ajo, në krahasim me takimin ministror muajin e kaluar, do të përfaqësojë një mbështetje më të fortë të ekonomive më të mëdha në botë për investimet në sektorin e gazit.
Ministrat e klimës së G7 ranë dakord në prill, pavarësisht mosmarrëveshjes midis Japonisë dhe vendeve evropiane, se investimet në gaz “mund të jenë të pranueshme për të ndihmuar boshllëqet e mundshme të tregut” të shkaktuara nga pushtimi rus i Ukrainës dhe pasojat e tij në tregun e energjisë.
Dokumenti përsërit mbështetjen e shtatë vendeve për objektivin e emetimeve zero të gazeve serrë më së voni deri në vitin 2050 dhe thekson nevojën “reale dhe urgjente” për të përshpejtuar tranzicionin e gjelbër si një mjet për arritjen e sigurisë energjetike.
“Duke njohur nevojën parësore për të përshpejtuar tranzicionin drejt energjisë së pastër, ne theksojmë rolin e rëndësishëm që mund të luajë rritja e furnizimeve me LNG”, thuhet në draft.
Ai ripohon qëllimet ambicioze për zhvillimin e fermave me erë në det të hapur dhe gjeneratorëve diellorë, për të cilat u ra dakord muajin e kaluar në Sapporo.
Në dokumentin përfundimtar, liderët e G7 duhet të shprehin gjithashtu “angazhimin e tyre për të arritur një botë pa armë bërthamore”, të sigurt për të gjithë, përmes një “qasjeje realiste, pragmatiste dhe të përgjegjshme”.
Reuters thekson se ky draft nuk është përfundimtar dhe mund të ndryshohet deri në fund të samitit të dielën.
Teksti përfundimtar i deklaratës përfundimtare pritet të publikohet të dielën, pas tre ditësh mbledhje në Hiroshima të Japonisë.
Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel njoftoi se Evropa do të vendosë sanksione edhe ndaj diamanteve ruse.