Shqipëria i ka kthyer nderin Turqisë pasi është bërë pjesë e fushatës sensibilizuese për të ndihmuar popullin turk nga tërmeti vdekjeprurës.
Fushata sensibilizuese ‘Turqia, një zemër’ u transmetua live në 213 kanale televizive turke. Ishte kryeministri Edi Rama i cili në një lidhje telefonike shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe uroj shërim sa më të shpejt për të plagosurit. Rama deklaroi se në emër të popullit shqiptar do t’i dhuronte Turqisë 1 milion euro për të rindërtuar zonat e shkatërruara.
‘Jam shumë i nderuar që të jem pjesë e këtij programi sensibilizues, si përfaqësues i Shqipërisë. Vendi ynë mbajti të hënën një ditë zie kombëtare, për të shprehur solidaritetin dhe nderuar viktimat e tragjedisë. Ne nuk do ta harrojmë çfarë bëri presidenti Erdogan pas tërmetit të vitit 2019. Ne jemi me popullin turk. Në emër të popullit shqiptar ne duam të dhurojmë 1 milion euro. E di që kjo nuk është asgjë, pasi nevojat janë shumë më të mëdha’, u shpreh kryeministri Edi Rama.
Kujtojmë se Shqipëria, disa orë pas tërmetit të fuqishëm dërgoi 2 ekipe kërkim-shpëtimi të cilët arritën të nxirrnin të gjallë nga rrënojat disa persona.
Fushata sensibilizuese televizive në vetëm 2 orë arriti që të grumbullonte rreth 5 miliardë euro.
Nga tërmetet e fuqishme që prekën Turqinë ndërruan jetë mbi 35 mijë persona ndërsa në Siri kanë mbetur të vdekur mbi 5800 qytetarë.