Një 42-vjeçar është arrestuar në Bulqizë, i akuzuar për vjedhjen e një ‘Wolksvageni’ në Tiranë. Mirdash Osmani, me precedent penale të mëparshëm, e vodhi makinën në zonën e Astirit dhe më pas e dërgoi në servisin e tij në Gjoricë për ta çmontuar dhe shitur më pas për pjesë këmbimi. Në pamjet që ka sekuestruar policia, dallohet Osmani teksa hap makinën me lehtësi dhe më pas largohet. Gjurmimi për makinën e vjedhur në Astir nga agjentët e Komisariatit numër 6 u bë nga këqyrja e kamerave të sigurisë.
Burime nga policia bëjnë me dije se Osmani, në momentin e arrestimit ishte me të njëjtat rroba qe kreu vjedhjen, çfarë bindi më shumë policinë se ai ishte autor i vjedhjes. Në hetim në gjendje të lirë është vënë edhe i biri 17 vjeç, i cili ka hequr serverin e pamjeve të kamerave të servisit dhe e ka hedhur, me qëllim për ta fshehur.
42-vjeçari Mirdash Osmani përdorte një teknikë të veçantë për të vjedhur automjetet, kryesisht në Tiranë. Fillimisht makinat i merrte me qira dhe kopjonte çelësin e tyre dhe i kthente te pronarët në kohë. Vjedhjen e makinës, së cilës më herët i bënte kopje të çelësit, ai e bënte 6 muaj apo 1 vit më vonë, njëlloj siç bëri edhe në rastin e fundit me automjetin e vjedhur në Astir.