Policia greke ka zbuluar një plantacion me kanabis dhe armatime të rënda në Krapsit të Greqisë, ndërsa në pranga kanë rënë 2 grekë dhe një shqiptar.
Mediat greke raportojnë se pas hekurave përfunduan një 52-vjeçar dhe një 29-vjeçar grek dhe një shqiptar 50-vjeçar, ndaj të cilëve është ngritur akuza për kultivimin droge dhe shkeljet e legjislacionit për armët.
Në kuadër të hetimeve për rastin, në zonën e plantacionit u gjetën dhe u konfiskuan gjithsej 47 fidanë kanabisi, mjete ujitëse dhe mjete bujqësore, ndërsa 5 pushkë luftarake tip kallashnikov, 6 pushkë luftarake të llojeve të ndryshme, 6 pushkë gjahu, 1 revole u gjetën në shtëpinë dhe kafenenë në pronësi të 52-vjeçarit.
Po ashtu policia sekuestroi 2 granata, 7 detonatorë dhe një fitil me djegie të ngadaltë, 3 bajoneta, 2 thika, 2961 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, 10 karikatorë dhe një shumë prej 1710 eurosh. Aktualisht policia greke vijon hetimet.