Grei Bihuci, 19-vjeç, mbeti i vdekur këtë të hënë në Fier, pasi u qëllua me thikë në qendër të qytetit nga Florjan Muka.
Sherri mes të rinjve raportohet të ketë nisur në rrjete sociale e më pas ka degraduar në përleshje fizike. Policia ka vënë në pranga autorin 20-vjeçar, i cili është dërguar në komisariat për t’u marrë në pyetje.
Shoku i viktimës Olti Serjanaj 20 vjeç, i cili ndërhyri për ta shpëtuar, mbeti i plagosur dhe ndodhet në spitalin e Fierit jashtë rrezikut për jetën.
Mësohet se viktima studionte në degën TIK në shkollën profesionale “Petro Sota”, ndërsa pasditeve punonte kamarier në një lokal pranë vendit të ngjarjes.
“Rreth orës 11:30, në bulevardin “Jakov Xoxa”, shtetasi F. M., 18 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin G. B., 19 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën në spital. Në spitalin e Fierit është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi O. S., 20 vjeç, i cili në momentin që ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit është dëmtuar dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kanë kapur dhe shoqëruar në Polici shtetasin F. M, dhe po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, sipas njoftimit zyrtar të policisë.