Një mjek dhe një infermier përfunduan në prangat e policisë së Fierit, pasi merrnin ryshfet në këmbim të dhënies së metadonit.
Menjëherë pas transmetimit në emisionin investigativ “Stop”, të 2 rasteve të dhënies së medikamentit Metadon, në kundërshtim me ligjin dhe me rregullat për përdorimin e tij, nga 2 punonjës të institucioneve spitalore në qark, me qëllim përfitimin e shumave të parave (2000 lekë secili), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale këta shtetas.
Në përfundim të këtyre veprimeve, u vunë në pranga, për veprat penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasit L. B., 64 vjeç, banues në Fier, me detyrë mjek toksikolog, në spitalin rajonal të Fierit dhe E. M., 36 vjeç, banues në Fier, me profesion infermier në njësinë vendore për kujdesin shëndetësor.