Një pallat dykatësh është përfshirë nga flakët në Memaliaj, për pasojë janë djegur plotësisht tre apartamente dhe tre të tjerë janë dëmtuar pjesërisht. Për fat të mirë nuk ka persona të lënduar.
Në aksionin për shuarjen e flakëve që zgjati dy orë e gjysmë morën pjesë rreth 30 efektivë nga forcat zjarrfikëse të Memaliajt të mbështetura edhe nga forcat policore, Bashkia Memaliaj dhe 1 mjet zjarrfikës nga Bashkia Gjirokastër. Shkak i zjarrit mendohet të jetë nga pajisjet ngrohëse të lëna në punë gjatë natës.
Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse mundësoi fikjen e zjarrit dhe shpëtimin e banesave të tjera në pallat. Të gjithë banorët e pallatit u evakuuan deri në përfundim të operacionit dhe nuk pati të lënduar nga banorët.