Historia e mashtrimit të mbi 391 mijë personave nga ana e Faruk Fatih Özer, themeluesit të shkëmbimit të kriptove Thodex, ra si një bombë në axhendën e Turqisë, ku autoritetet duhet të jenë tepër të lumtura teksa u njoftuan sot nga ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Bledi Çuçi për arrestimin e tij.
28-vjeçari u kap ditën e sotme në Jug të vendit teksa pushonte dhe tashmë pritet ekstradimi i tij, pasi një buletin i kuq ishte lëshuar nga Interpoli për kapjen e tij. E teksa Özer është transformuar tërësisht pas qëndrimit të tij prej 1 vit në Shqipëri, mediat turke kanë rikthyer edhe njëherë dëshmitë e rrethit të tij të ngushtë, pasi në Turqi shpërtheu skandali i grabitjes së tij me kosto 2 miliardë dollarë.
Ish e dashura e të riut, e cila gjithashtu është shumë e famshme për reklamat e saj, ka qenë një ndër ata që kanë folur për 28-vjeçarin.
“Ai ishte një djalë shumë i mirë, nuk e prisja kurrë. Ai jetonte me familjen e tij në Beykoz. Tha se ishte i interesuar për softuer dhe se kishte një kompani në Singapor”, ka rrëfyer ajo pas arratisjes së Ozer në prill 2021.
Pas asaj që ndodhi, Eslem Sena Nur gjithashtu tha:
“Ai nuk tregonte asgjë për paratë e kriptove. U ndamë për shkak të xhelozisë. Ai tha se kishte një kompani softuerësh jashtë vendit. Më kujtohet se ishte në Singapor. Ai i hyri kësaj pune pasi u ndamë, e dija që ishte fëmijë i një familjeje të pasur. Në karantinë vitin e kaluar, më thirri të takoheshim përsëri, por unë nuk e pranova.”
Sipas HaberTruk, thuhet se ajo që ndodhi me Thodex, ku u mashtruan 391 mijë persona, është mashtrimi më i madh në historinë e Republikës së Turqisë. Në shumë qytete u ngritën kallëzime penale kundër Faruk Fatih Özer, i cili përdorte emra të njohur si Burcu Esmersoy, Eda Ece, Ebru Şallı, Gökçe Bahadır, Mine Tugay dhe Özge Ulusoy.