Gazetari Marin Mema ka lëshuar njoftim për ndezje qirinjsh për t’i bërë homazhe rreshterit të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, Afrim Bunjakut. Mema, me anë të një postimi në ‘Facebook’, kërkoi nga qytetarët e Shqipërisë që të bëjnë homazhe tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ta nderuar veprën e policit të ndjerë.
“Pa fjalë, pa ngjyra politike e patriotizëm bosh, por me vepra! Sonte në ora 19:00 takohemi tek sheshi “Nënë Tereza” në Tiranë për ti bërë homazh Afrim Bunjakut, policit që u vra nga terroristët serbë në Kosovë! Kosova nuk është vetëm. Sonte në ora 19:00 jepi kohë dashurisë për Kombin! Homazhi ndaj dëshmorit Afrim Bunjaku është respekt ndaj Kombit! Të ndezim një qiri për shpirtin e një heroi që jetën e dha për të mbrojtur trojet shqiptare! Ky homazh nuk ka lidhje me politikën, por vetëm me Kombin! Vetëm me Kombin! Bëhu pjesë! Sot është dita të jemi bashkë me ngjyrat e flamurit! Unë do të jem, duhet të jemi të gjithë”, përfundon postimi i gazetarit Mema.
Mbrëmë në Prishtinë u ndezën qirinj në nderim të rreshterit Bunjaku.