Policia e Vlorës po ushtron kontrolle në disa banesa në qytetin e Vlorës, pas atentatit mafioz me dy viktima sot në autostradën Fier-Vlorë. Një prej banesave ku është ushtruar kontroll është edhe ajo e Endrit Sabedinit, person i njohur për policinë.
Ai njihet dhe me emrin Indrit Sabedini. I riu i ka shpëtuar dy atentateve që kanë pasur qëllim eliminimin e tij. Ai mbeti i plagosur nga një shpërthim me eksploziv më dhjetor të vitit 2021.
Rreth katër vite më parë, 2017, Sabedini i shpëtoi mrekullisht një tjetër atentati pasi pikasi në kohë lëndën eksplozive pranë makinës. Ngjarja ndodhi më 15 dhjetor 2017. Në atë kohë, Policia e Vlorës konfirmoi se qesja e zezë e gjetur pranë automjetit të Sabedinit ishte lëndë eksplozive.
Forcat xheniere kryen shpërthimin e kontrolluar të pakos me lëndë eksploziv artizanale prej 500 gramë tritol. Ishte vetë Sabedini ai që pikasi qesen e dyshimtë dhe lajmëroi menjëherë Policinë. Ai udhëtonte me makinë të blinduar, pasi i druhej një eliminimi të mundshëm.
“Më datë 15.12.2017, rreth orës 18:55, Salla Operative Vlorë është njoftuar nga një telefonatë prej shtetasit E.S., 30 vjeç, pasi dyshon se rreth 2 m larg, përpara mjetit të tij tip ‘Benz’, në lagjen ‘Uji i Ftohtë’, dallon një qese plastmasë të zezë dhe dyshon se ka lëndë eksplozive. Menjëherë, në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë të cilët kanë konstatuar se, në rrugë, rreth 2 m përpara mjetit tip ‘Benz’ gjendet një objekt i mbështjellë me qese të zezë. Policia ka rrethuar zonën për të mbajtur larg perimetrit të rrezikut banorët përreth. Janë njoftuar e janë duke ardhur edhe Forcat Xheniere për të vlerësuar situatën dhe përcaktuar çfarë objekti është”, sqaronte Policia në atë kohë.