Ashtu siç edhe e patën paralajmëruar mbrëmjen e së enjtes, qytetarët u mblodhën sërish në protestë para Ministrisë së Brendshme dhe kryeministrisë mbrëmjen e së hënës.
Protesta zgjati rreth 1 orë e 30 minuta. Përveç të rriturve, aty kishte edhe një pjesëmarrje të madhe të fëmijëve, të cilët kërkonin drejtësi për bashkëmoshataren e tyre Jonada Avdia.
Kjo e fundit u vra të martën e kaluar nga skafi i drejtuar nga polici Arjan Tase, ndërsa luante me babin në breg të detit në plazhin e Potamit në Himarë.
Siç shihet edhe në foto, fëmijët e vegjël me pankarta në duar duan që të vihet drejtësi për bashkëmoshataren e tyre në mënyrë që askush më mos ketë fatin tragjik të Jonadës.
Në fund të protestës, qytetarët paralajmëruan mbledhjen e firmave në të gjithë Shqipërinë për shkarkimin e Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Ministres së Turizmit, Mirela Kumbaro.