Katër persona kanë ndërruar jetë në një aksident në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj poshtë kalasë së këtij qyteti që është pjesë e aksit nacional Tepelenë-Gjirokastër. Raportohet se njëra makinë ka humbur kontrollin dhe si pasojë është përplasur me dy automjete të tjera që qarkullonin në drejtim të kundërt. Nga përplasja e fortë janë plagosur edhe 2 persona të tjerë.
Këta të fundit janë transportuar fillimisht në spitalin e Gjirokastrës për t’u trajtuar, por më pas janë nisur drejt Tiranës pasi gjendja e tyre paraqitet në rrezik. Sipas verifikimeve të para nga ana e Policisë Rrugore bëhet e ditur se shkaku i aksidentit ka qenë lagështia në rrugë si pasojë e reshjeve të shiut të rëna gjatë ditës së sotme.