Një grup kriminal është goditur orët e para të mëngjesit të së enjtes, ku në pranga ka rënë Denis Karafili ndërsa janë shpallur në kërkim edhe 4 anëtarët e tjerë të këtij grupi.
Nga ky aksion ka mundur të shpëtojë Inez Hajrulla i cili është një personazh i njohur për policinë, pasi në vitin 2019, ai i ka shpëtuar një atentati në një skemë tipike eliminimesh mafioze. Në kërkim po ashtu janë shpallur edhe OIsi Koçeli, Erand Hoxhaj dhe Klaus Islamaj.
Operacioni i policisë solli edhe sekuestrimin e fishekëve, targave të vjedhura, veshje policie dhe radiomarrës. Kjo ka ngritur dyshimet se grupi i goditur nga policia me në krye Inez Hajrullën, mund të ishte duke përgatitur një atentat.
Aksioni në fjalë ka nisur që pasditen e të mërkurës, ku në lagjen ‘’Pavarësia’’ në Vlorë, u pikas makina me të cilën po lëvizte grupi i Hajrullës, me shofer Denis Karafilin, të cilët kanë tentuar të largohen me shpejtësi.
Pas disa minutash ndjekje policia arriti të ndalonte Denis Karafilin, por Inez Hajrulla mundi të largohej bashkë me 3 miqtë e tij të tjerë.
Emri i Inez Hajrullës është mjaft i njohur për shkak se ka qenë shpesh shënjestër e atentateve në Vlorë. Ai i ka shpëtuar një atentati më 10 maj të 2019-ës në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Edhe në vitin 2017 ai u tentua të eliminohej me një atentat me tritol, por që mundi të shpëtojë. Hajrulla po ashtu është shoqëruar disa herë në polici për ngjarje kriminale, si ajo e pengmarrjes dhe zhdukjes së Elvis Troqes.